Veçanërisht muajt e verës janë sezoni i postblloqeve policore ku përveç patrullave fikse, kanë futur në përdorim edhe dronët. Mesatarisht në të gjithë vendin çdo ditë gjobiten 30 deri në 60 qytetarë (gjatë fundjavave), e megjithatë aksidentet vijojnë të shkaktojnë tragjedi e të përgjakin akset kombëtare por edhe ato rurale. Fushata më e fundit e policisë “shpëto jetën, shpëto kuletën” nuk rezultoi aspak parandaluese, përderisa në kulmin e saj, në aksin nacional drejt Vlorës gjatë një aksidenti automobilistik një familje e tërë u shua, për shkak të shpejtësisë së palejuar me të cilin po udhëtonte një i ri, aktualisht në pranga. Por po të kthehesh pas në kohë, së bashku me dhjetëra fushata e nisma, të vrarët në rrugë nga përplasjet rrugore janë një alarm disa vjeçar që tregojnë se rrugët dhe shoferët janë problematikë.
1200 shqiptarë humbën jetën gjatë pesë viteve të fundit dhe shkaku është vetëm një: aksidentet automobilistike. Shifrat janë dramatike për të dëmtuarit dhe të gjymtuarit ku gjatë të njëjtës kohë, si të plagosur rëndë dhe lehtë janë raportuar zyrtarisht gati 11 mijë shtetas shqiptarë.
Akset më problematike, si për ARRSH ashtu edhe për Policinë, vijonë të mbeten Tiranë-Durrës, Thumanë-Milot, Elbasan-Librazhd, Elbasan-Peqin-Rrogozhinë dhe Fier-Tepelenë.
Ndërsa për sa i përket bashkive, Tirana mban vendin e parë për numrin e aksidenteve në 5 vitet e gjysëm, ku janë regjistruar 4284 të tilla. Kjo shifër konsiderohet e lartë dhe shumë herë më e madhe sesa në bashkinë e dytë, ajo e Durrësit, në të cilën gjatë të njëjtit interval kohor janë regjistruar 882 aksidente.
Por edhe gjatë 2021 i konsideruar vit pandemie që solli reduktim të qarkullimit, shifrat e aksidenteve janë të frikshme. Në 5 muajt e parë janë regjistruar 564 aksidente, me 88 të vrarë në rrugë e 654 të plagosur lehtë dhe rëndë.
Ndërkohë shkaqet e aksidenteve sipas policisë kanë një dinamike tjetër nga ajo që ndodh në terren. Si fajtorë radhiten drejtuesit e makinave ku deklarohet se vetëm nga përdorimi i celularit dhe shpërqëndrimi i kontrollit janë shkaktuar 2164 aksidente, nga ku kanë humbur jetën 121 persona dhe janë plagosur rëndë 217 të tjerë. Shkaku i dytë në renditje statistikore është “Ndryshimi i papritur i drejtimit”, ku janë shkaktuar 1123 aksidente, e kanë humbur jetën 116 qytetarë si dhe janë plagosur rëndë 152 të tjerë. Nuk bën përjashtim përdorimi i alkolit, kushtet atmosferike, por edhe kushtet teknike të mjetit.
Aksi interurban “Tiranë-Durrës” është një nga rrugët me qarkullimin më të ngarkuar në Shqipëri, jo vetëm sepse lidh kryeqytetin me Durrësin, por sepse është nyja kryesore drejt jugut të vendit. Njëherazi konsiderohet nga Policia Rrugore mes rrugëve më problematike jo për shkak të cilësisë sesa nga shpejtësia tej normave me të cilën qarkullohet. Si njollë e zezë konsiderohet në këtë perimetër, dalja jo më larg se 1 kilometër nga mbikalimi që të çon në Tiranë dhe devijimi shënojnë viktima e të plagosur.
Përgjatë gjatësisë në aksin interurban, dalja e menjëhershme shoqërohet me mungesën e korsisë së ngadalësimit, kurse kryqëzimi i kësaj daljeje me rrugën dytësore të autostradës dhe një degëzim që të çon në Mëzez, është me sinjalistikë të cunguar.
“Është një kryqëzim i cili është me parametra teknik jo funksional për shkak se mjetet që vijnë nga Kashari në drejtim të Tiranës, nuk kanë një korsi ngadalësimi, e cila do tu mundësonte mjeteve që të shmangeshin nga karrexhatat e rrugës interubane dhe të ngadalësonin përpara se të futeshin në rrugën dytësore. Ky kryqëzim është me sinjalistikë të dobët, mungon sinjalistika horizontale”, shprehet Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore, që shton se është detyrë e Autoritetit Rrugor Shqiptar, që të ndërhyjë për ta bërë këtë kryeqëzim sa më funksional për drejtuesit e mjeteve dhe për të parandaluar aksidentet.
E në këtë kryqëzim, edhe pse nuk lejohet, dalja e mjeteve nga rruga dytësore në rrugën interubane, kjo është një gjë që ndodh rëndomtë, duke u shndërruar në një burim aksidentesh. Duke patur parasysh edhe shpejtësinë me të cilën automjetet lëvizin përgjatë aksit “Durrës-Tiranë”, pasojat janë fatale.
“Jo më parë se një muaj, për pak sa i kam lënë shëndenë kësaj jete vetëm prej këtij kryqëzimi”, shprehet Elio, një 29 vjeçar, i cili punon si shofer fugoni me të cilin shpërndan produkte ushqimore nëpër dyqane. “Unë isha duke u kthyer nga Qafa e Kasharit, kur një djalë me një makinë “Mazda” pa parë fare u fut në autostradë direkt prej kryqëzimit. Kam shpëtuar vetëm se isha me shpejtësi rreth 60 km dhe furgoni arriti të ndalonte”, përfundon i riu.
Rrethrrotullimi më i çuditshëm në Shqipëri
Rrethrrotullimi i Shënavlashit në Durrës, është ndoshta rrethrrotullimi me vëmendjen më të madhe publike. Kjo për faktin se është një nga rrethrrotullimet që si pohojnë edhe ekspertët, është dështuar në konceptimin e tij dhe efiçencën në rrugë, duke bërë të mos luajë funksionin e tij. Kjo pikë është kthyer në burimin e aksidenteve me pasoja për jetën.
“Rrethrrotullimi i vendosur në këtë kryqëzim ku janë katër rrugë, është spostuar majtas. Duhet të ishte në qendër të kryqëzimit, pra duhet spostuar djathas, me qëllim që të gjithë drejtuesit e automjeteve të futeshin në rrethrroullim që më pas të zinin korsinë”, thotë eksperti Qibini, sipas të cilit jo vetëm planvendosja është e gabuar, por edhe sinjalistika është pothuajse inekzistente.
Por problemet janë të shumta edhe në qendrat e banuara për sa i përket sinjalistikës rrugore. Në Tiranë, janë dhjetra pika ku sinjalistika rrugore mungon, është e gabuar, ose kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Rruga e Qelqit në kryeqytet, ose si njihet ndryshe rruga e “Kinostudios”, prej rikonstruksionit të saj e deri me tani ka disa të vrarë nga aksidentet. Aksidentet e rënda me kosto në jetët njerëzore, tregojnë se ky aks është rikonceptuar dhe rikonstruktuar gabim. Në shumë akse të brendshme të kryeqytetit, edhe kur sinjalistika ekziston, rezulton se ajo është e vendosur gabim. Një sinjalistikë e tillë, gjendet në semaforin e urës së Selitës në kryeqytet, ku edhe pse korsia e mesit është e kufizuar me vijë të pandërprerë, në fund të saj ajo ka një sinjalistikë horizontale që e lejon drejuesin e mjetit të levizë drejt, por edhe të kthehet djathtas.
“Kjo problematikë nuk është e njëjtë me rrugën e Kinostudios”, thotë eksperti i sigurisë rrugore Fatmir Hasho, i cili shton se: “vende-vende nga rruga “Bardhyl” në Kinostudio, vija para semaforit është e ndërprerë dhe ka qenë edhe pasojë për ndodhje aksidentesh edhe të rënda”.
Rrugë të reja, por pa risi…
Bulevardi Migjeni, ose si njihet ndryshe në kryeqytet, bulevardi i “Yzberishtit”, i ka dhënë një zhvillim kësaj zone, por gjithashtu ka shtuar rrezikun e aksidenteve edhe me pasoja të rënda.
Sinjalistika e gabuar horizontale, jo pak herë është bërë burim aksidenti, ku kanë humbur jetën qytetarët. Banorët shprehen se kalimi i këtij bulevardi është një sfidë, pasi përveç sinjalistikës së munguar edhe shoferët i drejtojnë mjetet të pakujdesshëm. Jo rrallë herë përdorin edhe hapësirat e vijave të bardha për të kaluar nga një krah i bulevardit në anën tjetër.
“Ky është një segment problematik, duhen sensibilizuar si drejtuesit e mjeteve por edhe autoritetet shtetërore. Policia Rrugore, bashkia e qytetit, e cila duhet të ushtrojë kontrolle permanente në këtë segment rrugor, për të kryer edhe konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve, pasi këtu drejtuesit e mjeteve qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara”, thekson Mamir Hodo, kreu i Byrosë së Inxhinierëve profesionistë dhe ekspertëve të sigurisë rrugore.
Hodo gjithashtu jep edhe një zgjidhje për uljen e rrezikut të aksidenteve në këtë aks rrugor, opsion ky i cili kërkon bashkëpunimin e Policisë Rrugore dhe Bashkisë Tiranë.
“Ky segment rrugor mendoj se përveç monitorimit nga policia rrugore, duhet të ketë edhe marrje masash nga bashkia e cila duhet të përforcojë sinjalistikën vertikale në çdo vendkalim këmbësorësh. Tabelat që janë vendosur nga krahu i djathtë, në disa raste nuk duken. Parkojnë mjete para, janë pemët dhe nuk duket në disa raste. Veç sistemit të sinjalistikës vertikale duhet të vendosen edhe kurrize horizontal. I bëj thirrje bashkisë së Tiranës të mos e kemi për turp të vendosim kurrize horizontale në rrugë, pasi ky kurriz horizontal do të na ndihmojë të shmangim aksidentet rrugore”, shton eksperti Hodo.
Auditimi i rrjetit rrugor, ngrihet trupa e ekspertëve, por nuk kanë buxhet
“Në çdo aksident rrugor apo anomali rrugore, shërbimi i patrullave është i detyruar të njoftojë entin pronar të rrugës, për të marrë masat e nevojshme për riparimin ose rivendosje të elementëve të munguar ose të dëmtuar”, kështu shprehet zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbasi u pyet se cilat janë problematikat e evidentuara nga Policia Rrugore në akset problematike.
Gjithashtu në përgjigjen e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shton se: “Ka hyrje-dalje në rrugë pa kriter dhe pa respektuar distancat dhe kjo si një trashëgimi e ndërtimit të rrugëve, ose mungesave të standarteve ligjore në kohën e ndërtimit, mungesë sinjalistike e cila ka ardhur ndër vite, si rezultat i mungesës së elementit të insepktim/auditim rrugor”.
Por prej dy vitesh tashmë, trupa e ekspertëve të sigurisë rrugore të çertifikuar është ngritur dhe janë funksional si trupë e çertifikuar, por si pohon zyrtarisht edhe Policia e Shtetit, akoma nuk ka fonde në dispozicion në buxhetet e Bashkive dhe të ARRSH për të kryer një auditim të sigurisë së rrjetit rrugor kombëtar dhe të rrugëve urbane.
“Kjo është krijuar në vitin 2017 dhe nuk ka të bëjë me fondet. Vetë normat europiane ku ne inspirojmë të shkojmë kërkojnë që audituesi dhe inspektuesi i sigurisë rrugore duhet të jetë prezent në cdo vend, por me thënë të drejtën këtu nuk është bërë ajo që duhet”, thotë Hodo i cili shton se: “Një auditues është i pavarur, unë skam pse të varem, unë thjesht marr detyrën nga kontraktori, nga autoriteti rrugor marr urdhërat e punës dhe vazhdoj bëj inspektimin e në fund jap përfundimet. I them autoritetit që për këtë projekt, ky është plani, dhe ky plan duhet ulur në tavolinë, duhet studiuar mirë dhe ky plan duhet të ekzekutohet. Kjo nuk është arritur të bëhet deri tani”, përfundon z.Hodo.
Faturat flasin vetë
Por faturat tregojnë diçka tjetër. Kostoja që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpenzuar për pesë vite dhe konkretisht prej 2016 deri në 2021 për sinjalistikën rrugore është 2,697,227,076 Lekë.
Në vitin 2016, ARRSH ka shpenzuar për sinjalistikën 681,186,114 lekë, në 2017 një shumë prej 490,612,397. Ndërsa në 2018 ky buxhet ka pësuar një ulje të dukshme një vit më parë, ku ARRSH ka shpenzuar shumë prej 278,935,146 lekë. Por shpenzimet rriten gjatë dy viteve të fundit, ku rezulton se për vitet 2019 dhe 2020 duke u shpenzuar respektivisht 441,166,898 lekë dhe 587,626,521 lekë. Ndërsa buxheti në dispozicion për financimin e sinjalistikës rrugore për 2021 është në vlerën e 217,700,000 lekë.
Megjithëse harxhohen qindra miliona lekë çdo vit në sinjalistikën rrugore, ajo sërish mbetet një problem në rrjetin rrugor shqiptar. E pyetur zyrtarisht, nëse vijon të jetë problem për Policinë Rrugore vendosja e gabuar e sinjalistikës rrugore nga firmat ndërtuese dhe mirëmbajtjes së rrugëve, Policia e Shtetit shprehet se: “Në radhë të parë vendosja e gabuar e sinjalistikës rrugore nga firmat e ndërtimit të tyre dhe mirëmbajtjes së rrugëve është një problem i madh për drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës, pasi mospasja e qartë e rregullave “të shkruara mbi rrugë” në trajtën e sinjalizimeve rrugore, shkakton konfuzion, bllokim të trafikut dhe në raste të tjera me të rënda dhe pasoja në ngjarje rrugore”.
Shkroi: Denis Tahiri
Marrë nga ACQJ.al