Nga Anila Dushi
Bypass-i i Shkodrës, i cili mendohet se do ta ndihmojë qytetin verior të mbrohet nga përmbytjet e lumit Buna, u projektua në vitin 2010 dhe punimet u përuruan në vitin 2011, ndërsa vendi drejtohej ende nga Partia Demokratike.
Por pas një dekade dhe dy mandateve të socialistëve, ndërhyrja në infrastrukturë – ashtu si shumë simotra në të gjithë vendin, ende nuk ka përfunduar, kryesisht për shkak të ndryshimeve në projekt dhe problemeve me shpronësimet.
Kryeministri Edi Rama vizitoi atë në 10 shtator dhe akuzoi sërish paraardhësit për zvarritjen dhe projekteve- edhe pse ka tashmë gati 8 vite në pushtet. Ai njoftoi gjithashtu edhe rifillimin e punimeve. Me 16 shtator qeveria njoftoi një fond prej 304 milion lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i rrugës.
Por rivënia në lëvizje e qeverisë për të përfunduar projektin, ka ngjallur shqetësim mes aktivistëve mjedisorë në Shkodër.
Specialistja e mjedisit Aurora Piroviq, thotë se projekti ka krijuar tashmë probleme dhe kjo nuk pritej të përmirësohej me përfundimin e tij.
“Bypass-i ndikon negativisht në mjedis pasi shkakton dëme në rrjedhjen e ujit, pengon rrjedhën normale të lumit Buna,” theksoi ajo.
Bashkia e Shkodrës po ashtu është bërë bashkë me aktivistët, ndërsa pretendon se një pjesë e rrugës e mbetur pezull ka kënetëzuar tokën përreth dhe se ai nuk do ta kryente funksionin e planifikuar për të mbrojtur qytetin nga përmbytjet.
Bypass-i ishte parashikuar të kushtonte 1 miliard e 870 milion lekë në vitin 2011 dhe është financuar deri në vitin 2017 me rreth 734 milion lekë. Pjesa tjetër e investimit do të bëhej në vijim. Kostos iu shtuan edhe 304 milion lekë që qeveria caktoi sëfundmi për shpronësime.