PRISHTINE- Arrestohet 6 muaj pasi shpalljes në kërkim, këngëtarja e njohur shqiptare Fjolla Morina. Lajmi raportohet nga “Telegrafi”, që shkruan se ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi është hasur në një lokal në lagjen Emshir të Prishtinës.
Fjolla është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri. Morina u shpall në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Si u arratis? Fjolla Morina u la nga gjykata e Kukësit në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pas ndalimit të saj në kufi në shtator të 2020-ës. Ajo u arratis nga shtëpia ku po qëndronte, edhe pse ishte shumë pranë Komisariatit të qytetit.
Arrestimi dhe zbulimi i të dashurit?Arrestimi i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë. Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj. Bashkë me të u arrestua edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja kurorëzoi dashurinë në Maldive, gjatë kohës që ishte në kërkim nga Interpoli.