Fier- Policia e Fierit vijon kontrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë finalizimit të operacionit “Dërmënas”, policia ka arrestuar shtetasit Gëzim dhe Afrim Berisha, babë e bir, dhe Arben Vrenozin, pasi akuzohen për kultivim, prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar 6.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe fidanë narkotikë të mbjellë në vazo lulesh.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së kanabisit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, pas një hetimi 2-javor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Dërmënas”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit G. B., 62 vjeç dhe A. B., 34 vjeç (babë e bir), banues në Dërmënas, Fier.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë narkotike kanabis dhe fidanë kanabis të mbjellë në vazo lulesh.
Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi A. V., 52 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në oborrin e banesës iu gjetën kubikë me fidanë të dyshuar kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.