Një operacion i gjerë i drejtuar nga forcat e rendit shqiptar, në veçanti të njësisë për hetimin e krimeve kibernetike, ka sjellë arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë dhe afrikanë që kishin krijuar një rrjet mashtrimi online, që drejtonte transaksionet bankare të disa subjekteve tregtare në llogaritë e tyre. Metoda është e njohur si phishing, ose më mirë një lloj mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”. Këta shtetas, së bashku me shtetas të tjerë që ndodhen jashtë Shqipërisë, kontrollonin komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare.
“Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje të njëjtë me të vërtetin”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.
Të akuzuarit kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera. Subjektet e mashtruara vinin nga vende të ndryshme, ndër të tjerat SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Turqi, Zvicër dhe Belgjikë.