VLORË– Pronari i plazhit privat në Zvërnec, Luçio Rroko qëlloi tre herë me armë zjarri në ajër. Ngjarja ndodhi ditën e sotme në mesditë, teksa të gjithë pushuesit ndodheshin pranë. Sherri me një familje për sipërfaqen e tokës ka qënë shkaku që 42-vjeçari qëlloi në ajër me armë zjarri. Pushuesit në plazhin e Zvërnecit u terrorizuan nga të shtënat, të cilat sipas tyre u dëgjuan tre herë.
Raportohet se Rroko ishte në mjetin e tij ‘motor’ në momentin që ka qëlluar tre herë në ajër. Ai kishte si synim që të frikësonte familjen e cila po pushonte në plazh, me të cilën kishte një konflikt. Pasi qëlloi në ajër, Rroko u largua me shpejtësi me motorin e tij.
Nga të shtënat fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar. Tre gëzhoja plumbi kanë dalë nga pistoleta 9 mm të Rrokos. Pushuesit u shprehën për mediat se u frikësuan nga të shtënat mirëpo u qetësuan kur vunë re se policia mbërriti në kohë rekord në vendngjarje.
Policia është në ndjekje të autorit dhe të personave të tjerë që kanë marrë pjesë në konflikt. Pala tjetër është marrë nga efektivët dhe po pyetet në lidhje me ngjarjen e sapondodhur.