Maqedonia e Veriut vazhdon të shënojë shifra të larta të viktimave. Si pasojë e Covid-19 në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 26 persona, ndërsa janë infektuar 978 qytetarë.
Viktimat janë, nga katër në Shkup, Tetovë dhe Prilep, tre në Ohër, nga dy në Veles dhe Manastir si dhe nga një në Kumanovë, Shtip, Strugë, Gjevgjeli, Strumicë, Krushevë dhe Dellçevë.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19, në Maqedoninë e Veriut, ka arritur në 39,760, prej të cilëve 1,136 kanë vdekur, 23,035 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 15,589.
Në mesin e të vdekurve është edhe një mjek nga Spitali i Tetovës.
Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat ndërsa gjendjen me pandeminë e ka vlerësuar si kritike.
“Situata me COVID-19 është kritike. Spitalet tashmë po mbushen me të sëmurë. Para nesh ndodhet periudha më e vështirë e trajtimit të pandemisë. Kërkoj nga ju që jeni maksimalisht të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës. Respektoni masat në mënyrë të përpiktë. Mbajtja e maskës dhe e distancës janë një sakrificë shumë e vogël krahasuar me gjithçka tjetër”, ka deklaruar Filipçe.