Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ndodhet në Shqipëri. Ajo është takuar me kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka bërë përshtypje si “vajza e mençur, e edukuar e modeste si të ishte askushi”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook.
Sipas Ramës, Dua Lipa “është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre”.
“Çfarë çike❤️”, mbyll postimin e tij Rama, i cili i ka dhuruar këngëtares edhe librin e tij me vizatime, titulluar ‘Work’.
Postimi i Kryeministrit Rama në Facebook:
DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.
Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike❤️