BERAT– Banorët e fshatit Lumas, të cilët prej tre muajsh përplasen me kompaninë “Salillari” që ka nisur punimet në Sinec dhe dhunohen pa mëshirë nga Policia e Shtetit, janë futur në grevë uri pa afat. Ashtu siç lajmëruar një ditë më parë, pas dhunës arbitrare që pësuan nga uniformat e shtetit, banorët kanë ndërprerë ushqimin dhe ujin.
Me anë të një letre, drejtuar kryeministrit Edi Rama, ambasadores Yuri Kim dhe ministrave e zyrtarëve të tjerë, ata kërkojnë shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Beratit, Edmond Targaj, për të cilin shkruajnë se i ka dhunuar e kërcënuar.
Banorët kërkojnë të takohen me vetë kryeministrin Rama, të ndërpriten punimet si dhe të pezullohet e të vihet nën hetim, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
LETRA E PLOTË: Datë 03.08.2021
Drejtuar: Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z.Edi Rama; Ministrit të Brëndshëm, Z.Bledi Çuçi; Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Z.Blendi klosi; Amasadës Amerikane në Tiranë,Znj. Yuri Kim; Bashkimit Europian, përfaqësuar nga Z.Luigi Soreca; Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z.Ilir Meta; Avokatit të Popullit Znj.Erinda Ballanca; Shërbimit Informativ të Shtetit, Z. Elidon Bendo; Drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, Z. Olsian Çela; Kontrolli i Lartë i Shtetit Z.Arben Shehu; Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura; Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura.
Ne banorët e fshatit Lumas, kemi vendosur të futemi në grevë urie duke mos gjetur asnjë zgjidhje për problemin tonë në mbrojtje të burimit të ujit të Sinecit. Përpos faktit që po ndërtohet në burimin e Sinecit, e cila është zonë e mbrojtur, pasuri kombëtare duke e shkatërruar atë por edhe shtrati i Lumit të Sinecit po shkatërrohet nga subjektet private. Gjatë kësaj periudhe nga ana e punonjësve të policisë jo vetëm që nuk jemi lejuar të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për të protestuar por edhe jemi dhunuar prej tyre. Për sa më sipër, kemi vendosur të futemi në grevë urie pa afat dhe më poshtë ju parashtrojmë kërkesat tona :
1-Shkarkimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat Edmond Targaj, i cili na ka dhunuar, kërcënuar dhe mohuar të drejtën kushtetuese për tu shprehur, grumbulluar, manifestuar dhe protestuar
2- Pezullimin e punimeve të vjedhjes së 4.2 milion Euro nga shoqëria “Salillari” sh.p.k në bashkpunim me kryetarin e Bashkisë Kucovë Kreshnik Hajdari, të kamufluar pas ndërtimit të një ujësjellësi në burimin e sinëcit, zonë e mbrojtur
3-Pezullimi nga detyra dhe hetimin administrative dhe penal ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili përdor policinë e shtetit si polici private në mbrojtje të shkatërrimit të burimit dhe lumit të Sinecit e në mbrojtje të interesave të subjketeve private
4- Takim me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me qëllim zgjidhjen e këtij problemi në mbrojtje të burimit shtratit të lumit Sinecit si pasuri Kombëtare e monument natyre.
Prej 3 muajsh banorët e Lumasit protestojnë kundër ndërhyrjes në zonën e Sinecit. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përmes një shkrese zyrtare pak ditë më parë urdhëronte Bashkinë e Kuçovës dhe firmën “Salillari” që të ndërpriste menjëherë punimet në Sinec pasi punimet cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”.