Zbulohen emrat e personave që tentuan të arratisen me çarçaf nga burgu 313 në Tiranë. Burime policore i thanë Top Channel se kjo tentativë është ndërmarrë nga Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri.
Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe më pas kanë tentuar të hidhen përmes çarçafëve në shesh-pushimin e hyrjes së administratës.
Por nuk ia kanë dalë që të arratisen me sukses. Gardianët i kanë pikasur lëvizjet e tyre, ndaj ata tashmë do të përballen me akuzën e tentativës së largimit nga vendi vuajtjes së dënimit.
Çekaj u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë nga Ekuadori në vitin 2018.
Ndërsa Fatmir Pjetri i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.