Arbër Çekaj, Lulzim Çepele dhe Fatmir Pjetri kanë pohuar të tre në dëshmitë e tyre se nuk e kanë bërë bashkë planin e arratisjes nga burgu “313”. Përsipër iniciativën e arratisjes nga ky institucion e ka marrë Fatmir Pjetri, i cili ka thënë se nuk ka komunikuar me asnjë nga dy të burgosurit e tjerë.
Raportohet se edhe Lulzim Çepele e ka mohuar të ketë lidhje me tentativën. Ai është shprehur se damarët e dorës i ka dëmtuar rreth orës 14.00 të pasdites ndërsa dy të tjerët tentuan të arratiseshin rreth orës 15.00.
“Kam qenë në kushte të vështira psikologjike për arsye familjare,” ka thënë ai duke shtuar se përpara ca kohësh i kanë vrarë edhe nipin.
Ndërkohë, prova e vetme e fortë që kanë autoritetet për këtë rast janë pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë. Prova konkretet që Pjetri të ketë bashkëpunuar me gardianët nuk ka, por disa shkelje vërehen qartë. Si për shembull, kur Pjetri ka dalë për të shkuar në ambientet e ajrit nuk i është kontrolluar çanta që kishte me vete. Kurse, Arbër Çekaj ka thënë se Fatmir Pjetrin e ndoqi instiktivisht, pa e ditur se ç’po bënte dhe pasi u kthjellua, ka ndaluar.
Letra e plotë
Nuk kam goditur asnjë polic. I ndikuar nga gjendja psikologjike për shkak të burgosjes së babait, kam ndjekur në mënyrë instiktive Fatmir Pjetrin kur e kam parë duke u larguar. Nuk ka qenë meritë e policisë ndalimi im, por kur jam kthjelluar se kjo nuk është zgjidhje, kam ndaluar.
Unë nuk jam kriminel dhe respektoj ligjet e shtetit, në të kundërt tani do të ishte larguar në Dubai apo ndonjë shtet tjetër. Në qoftë se do isha kriminel, do ishte duke pirë kafe në Kosta Rika. Ka segmente të caktuara të shtetit që po punojnë kundër familjes Çekaj. Unë jam thjesht viktimë.
Plani i arratisjes ishte i Fatmir Pjetrit. Unë qenë me kafe në dorë kur e kam parë të largohet, e kam ndjekur pa e ditur se ku do të shkonte”.