Presidenti afgan Ashraf Ghani ka deklaruar se është larguar nga vendi për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa talebanët kishin hyrë në pallatin presidencial në Kabul. Këto deklarata, Ghani i bëri në disa komente në Facebook, ku shkruante se ishte larguar për të shmangur përplasjet me talebanët që do të rrezikonin jetën e miliona banorëve të Kabulit.
Ai nuk dha detaje mbi vendndodhjen e tij aktuale, por më herët agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Presidenti Ghani ishte nisur drejt Taxhikistanit. Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan të dielën nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të rimarrë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e rrëzoi grupin nga pushteti.
Talebanët kanë arritur të futen në Kabul në kryeqytetin e Afganistanit dhe thanë më herët se janë në pritje të një transferimi paqësor të pushtetit.