Gjendja në Kabul paraqitet tepër kritike pas hyrjes së trupave talebane. Qytetarët afganë, por edhe ata ndërkombëtarë që gjendeshin atje janë dyndur në aeroport për t’u larguar sa më parë nga vendi.
Ato që bënë xhiron e rrjetit pak më parë ishin pamjet ku qytetarët tentonin të hipnin në avion pa pritur radhën.
Ndërsa tashmë shokuese janë pamjet që vijnë nga një avion, i cili është ngritur nga Kabuli dhe ka nisur të fluturojë. Prej tij bie një qytetar, por nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja. Pak më herët u raportua edhe për tre viktima në aeroport, një ngjarje sërish enigmatike. Prej ditës së djeshme kur nisi dyndja e qytetarëve në aeroport forcat amerikane që janë lënë për kontrollin e aeroportit kanë shtënë në ajër për të qetësuar turmat.
Përdoruesit e mediave sociale raportojnë dëshmitë nga vendasit, të cilët thonë se tre burra, të cilët mbaheshin në rrotat e një aeroplani kur po ngrihej nga Kabuli, ranë mbi disa shtëpi.