Mes zërave se Pol Pogba nuk do të rinovojë në “Old Trafford” kontratën që përfundon pas këtij sezoni, PSG do të bëjë çmos që t’i shtojë një tjetër yll skuadrës së vet me parametër zero pas Leo Mesit, Donarumës, Ramosit dhe Vajnaldumit këtë verë.
Menaxheri i kampionit të botës, Mino Raiola, donte ta dërgonte klientin e tij që këtë verë në “Parc des Princes”, por plani i papritur për të transferuar Mesin i prishi planet financiare të gjigantëve francezë.
Kështu që, ata do të rikthehen për ta joshur mesfushorin e Mançester Junajtidit sezonin e ardhshëm. Sipas “The Telegraph”, oferta që presidenti Naser Al Khelaifi po përgatit për Pogbanë është mbi 500 mijë paund në javë rrogë (510 mijë). Por trajneri i “Djajve”, Ole Gunar Solskjaer, mbetet optimist se ata do ta bindin lojtarin që të qëndrojë në Mançester.
Nëse Junajtid rikthehet një skuadër konkurruese këtë sezon, dhe të gjitha gjasat i ka, pasi ka transferuar edhe dy yje si Xhejdën Sanço dhe Rafael Varan, Pogba mund të bëjë një kthesë të papritur e të vendosë që të rinovojë. 28-vjeçari dhuroi 4 asiste në ndeshjen e javës së parë të Premier Ligës kundër Lidsit (fituar 5-1) gjatë të cilës Bruno Fernandesh shënoi tre gola.
Portugezi vlerësoi cilësitë e Pogbasë pas ndeshjes: “Ne i dimë cilësitë e Polit dhe nuk ka diskutim për këtë. Ne e dimë se çfarë ai mund të bëjë dhe e pamë në këtë ndeshje. Ai po punon për skuadrën dhe ne e dimë që ai mund të bëjë paraqitje të tilla”.