Dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID -19 do të bëhen të disponueshme gjerësisht për amerikanët duke filluar nga 20 shtatori, thanë të mërkurën zyrtarët amerikanë të shëndetësisë, duke cituar të dhëna që tregojnë një zvogëlim të mbrojtjes nga vaksinimet fillestare ndërsa infeksionet rriten nga varianti Delta.
Zyrtarët amerikanë do të ofrojnë një dozë të tretë për amerikanët që morën vaksinimin fillestar të vaksinave me dy doza COVID-19 të Modernës dhe Pfizerit Inc të paktën tetë muaj më parë, tha në një deklaratë Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
“Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga variantet e reja që mund të shfaqen”, u tha Presidenti amerikan Joe Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo do t’ju bëjë më të sigurt për një kohë më gjatë. Do të ndihmojë në përfundimin më të shpejtë të kësaj pandemie”, tha Presidenti.
Qeveria amerikane pret që të japë 100 milionë doza shtesë falas në rreth 80,000 qendra në mbarë vendin, tha Presidenti Biden.
Dozat përforcuese fillimisht do t’u jepen amerikanëve që morën vaksina me dy doza, por zyrtarët thanë se ata parashikojnë që personat që kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson, të autorizuar në Shtetet e Bashkuara në shkurt, gjithashtu do të kenë nevojë për dozë përforcuese.
“Duhet të dalim përpara virusit,” u tha gazetarëve Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden. “Nëse presim të ndodh diçka e keqe para se t’i përgjigjemi situatës, do të kuptonim se jemi shumë prapa asaj që mund të bënim”, tha zoti Fauci.
Dozat përforcuese, thanë zyrtarët, fillimisht do të përqëndrohen për punonjësit e kujdesit shëndetësor, banorët e shtëpive të pleqve dhe të moshuarit – ndër grupet e para që u vaksinuan në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021.
Lajmi u mbështetj si nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ashtu edhe nga udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, të cilët thanë se “absolutisht” planifikonin të merrnin një dozë të tretë.
Aksionet e kompanisë Pfizer u rritën rreth 1.65% në mesditë. Aksionet e Modernës ranë me rreth 2.8% ndërsa ato të J&J ranë 0.5%.
Ekzistojnë dëshmi në rritje se mbrojtja nga vaksinat COVID-19 zbehet pas gjashtë ose më shumë muajsh, veçanërisht tek njerëzit e moshuar me probleme të tjera shëndetësore. Zyrtarët e cituan këtë fakt në vendimin e tyre mbi dozat përforcuese, por theksuan se të dozat e autorizuara nga SHBA kanë rezultuar “jashtëzakonisht të efektshme” në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve të rënda, shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga COVID-19.
Më shumë se një milion amerikanë kërkuan një dozë shtesë vaksine para se të shpallej vendimi zyrtar mbi dozat shtesë. Zyrtarët amerikanë më parë autorizuan një dozë të tretë të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe Moderna për njerëzit me sistem imunitar të dobët.
Njoftimi amerikan kundërshton udhëzimet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkencëtari kryesor i së cilës tha se të dhënat aktuale nuk tregojnë nevojën për dozë përforcuese.
Javët e fundit, disa vende të tjera kanë vendosur të ofrojnë injeksione përforcuese për të moshuarit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët, përfshirë Izraelin, Gjermaninë dhe Francën. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë të Mërkurën se ata nuk e shohin ende nevojën për të dhënë masa përforcuese për popullatën e përgjithshme.
Zyrtarët amerikanë nuk presin një rritje serioze të shtrimeve në spital dhe vdekje mes njerëzve të vaksinuar deri të paktën tetë muaj pas vaksinimit të tyre fillestar, tha kirurgu i përgjithshëm amerikan Vivek Murthy.
Një studim i ri i kryer në Nju Jork dhe i cituar nga shefja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky zbuloi se efektiviteti i vaksinës COVID-19 zbriti nga rreth 92% në maj në rreth 80% së fundmi.
Vaksinat në përgjithësi janë më pak efektive kundër variantit Delta, tani dominues në Shtetet e Bashkuara, shtoi zonja Walensky, duke cituar një studim të shtëpive të pleqve në SHBA që tregon një nivel efektiviteti prej 53% të vaksinave kundër variantit Delta.
SHQETESIME PER VARIANTIN DELTA
Shtetet e Bashkuara kryesojnë botën për nga rastet dhe vdekjet e raportuara nga COVID-19, me rreth 500 amerikanë që vdesin çdo ditë. Rastet e përditshme në SHBA u rritën nga më pak se 10,000 në fillim të korrikut në më shumë se 150,000 në gusht ndërsa varianti Delta filloi të përhapej.
Rastet e reja përfshijnë njerëz të vaksinuar, megjithëse ata kanë shumë më pak gjasa të përjetojnë simptoma të rënda ose vdekje sesa të pavaksinuarit.
Një studim i ri nga një kompani izraelite e kujdesit shëndetësor zbuloi se një dozë e tretë e vaksinës Pfizer/BioNTech është 86% efektive për njerëzit mbi moshën 60. Ajo pasoi një studim tjetër izraelit që tregoi prova të dobësimit të imunitetit nga vaksinat COVID-19 në muajt pas vaksinimit.
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë pohojnë se dozat e vaksinave duhet së pari të shkojnë te njerëzit në vendet më të varfra të cilët ende nuk kanë marrë një vaksinim fillestar./VOA