Talebanët kanë dalë në një konferencë për shtyp në Kabul, për të dhënë detaje rreth situatës dhe rregullave të reja që pas marrjes së pushtetit nga ana e tyre ditën e dielë.
Përmes zëdhënësit Zabihullah Mujahid, talebanët shpalosën planin e tyre të drejtimit të vendit me një gjuhë më të moderuar dhe duke zgjatur dorën për bashkëpunim dhe për kundërshtarët.
“Ky është një moment krenarie për Afganistanin. Pas 20 vitesh përpjekje ne emancipuam vendin dhe dëbuam të huajt”, kështu e nisi deklaratën e tij për shtyp Zabihullah Mujahid.
Zëdhënësi i talebanëve premtoi se Afganistani nuk do të jetë më një vend konflikti. Ai deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron asnjë armik të jashtëm apo të brendshëm dhe se personat që luftuan kundër talebanëve do të falen.
Mujahid u ndal dhe në disa nga temat që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar përsa i përket të drejtave të njeriut dhe në veçanti ndaj grave si dhe lirinë e shtypit. Sipas tij, të drejtat e femrave në Afganistan do të bazohen në ligjin e sheriat.
“Nuk duam të kemi asnjë problem me komunitetin ndërkombëtar, por kemi të drejtën që të sillemi sipas principeve tona fetare. Vende të ndryshme kanë rregulla të ndryshme, kështu që edhe ne afganët kemi të drejtë t’i bazojmë rregullat në vlerat tona. Jemi të angazhuar për të drejtat e grave nën sistemin e sheriat. Ato do të mund të punojnë me ne krah për krah. Sigurojmë se nuk do të ketë diskriminim. Përsa i përket mediave private ato do të vazhdojnë të jenë të lira dhe të pavarura, por brenda rregullave tona. Mediat nuk duhet të punojnë kundër talebanëve, por për bashkimin e kombit”, u shpreh zëdhënësi i talebanëve.
I pyetur për çështjen e kontraktorëve dhe përkthyesve që kanë punuar gjatë viteve të fundit për trupat e huaja ushtarake, Mujahid u shpreh se ndaj tyre nuk do të ketë asnjë lloj hakmarrjeje. Ai shkoi dhe më tej duke i ftuar ata të mos largohen nga vendi.
“Asnjë nuk do të trajtohet me hakmarrje. Ne nuk duam që të rinjtë që janë rritur në Afganistan të largohen. Ata janë asetet tanë. Askush nuk do të trokasë në dyert e tyre dhe t’i dhunojë se për kë kanë punuar. Do të jenë të sigurt dhe nuk do të përndiqen”, shtoi Mujahid.
Akuza të ashpra zëdhënësi i talebanëve lëshoi dhe ndaj qeverisë së Ashraf Ghani. Mujahid deklaroi se talebanët nuk kishin asnjë qëllim që të hynin në Kabul, por të ushtronin presion ndaj qeverisë deri në tranzicionin e pushtetit. Sipas Mujahid qeveria e mëparshme ishte totalisht e paaftë dhe e braktisi detyrën.