Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka dhënë sot lajmin e rëndësishëm për shtyrjen e datës së fillimit të vitit të ri shkollor, nga data 13 shtator që ishte planifikuar, në 27 shtator 2021. Ky vendim është marrë për të zgjatur periudhën e mësimit plotësues, i cili nis më datë 1 shtator 2021.
Nëpërmjet një videoje, ministrja Kushi ka dhënë detaje në lidhje me këtë vendim të rëndësishëm.
“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021”,shprehet ministrja në statusin e saj në rrjetin social.
Ajo gjithashtu shprehet se gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.