Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar gjatë natës operacione blic në Durrës, Lezhë e Elbasan. Autori i një plagosjeje të katërfishtë, të kryer në vitin 2017, u kap gjatë kontrolleve në Mamurras. 36-vjeçari me iniciale A.S. është dënuar me‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Sipas policisë, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllanë e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas.
38-vjeçari me iniciale D.T. u kap në Shkozet të Durrësit me pistoletë në makinë. Mjeti i tij ishte parkuar para lokalit të shtetasit me iniciale E.D. RENEA kontrolloi biznesin, ku zbuloi se aty kryhej aktivitet i paligjshëm i lotarive. Në Durrës, u kap dhe një shpërndarës droge. 24-vjeçarit me iniciale L.H., iu gjend lëndë narkotike dhe peshore elektronike në makinë, ndërsa në shtëpi iu gjetën disa fishekë.