Pavarësisht shtimit të numrit të personave të infektuar me Covid-19 javët e fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mos ndryshojë masat duke theksuar se situata është nën kontroll.
Zv/ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli ka deklaruar se në javët në vazhdim do të ketë një shtim të kontrolleve për zbatimin e aktit normative për parandalimin e përhapjes së pandemisë, kryesisht në lidhje me përdorimin e maskës në ambiente publike.
“Tani duket dhe më e qartë që numri i të infektuarve në Shqipëri është i shtuar ndjeshëm. Ju sjell në vëmendje se numri i të infektuarve të pavaksinuar është 32 herë më shumë i të vaksinuarve. Nga ana tjetër, edhe ata që janë në forma të rënda dhe të shtruar në spitale, shumica janë të pavaksinuar. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i të shtruarve në spitale është ndjeshëm më i ulët. Vitin e kaluar kemi pasur të mbushur Covid 1 dhe mbi gjysmën e Covid 2. Kjo tregon që situata është më e kontrolluar dhe këtyre indikatorëve që i kemi analizuar sot i përgjigjet mirë niveli i masave që kemi në fuqi”, tha Rakacolli.
Rakacolli u shpreh se bazuar në nivelin e deritanishëm të infeksionit, nuk ka probabilitet për shtyrje të afatit të hapjes së shkollave.