Bledar Selmanaj, 39 vjeç akuzohet se është autori i ekzekutimit të 25-vjeçarit nga Babrruja, Xhuljan Bullari në fshatin Babicë të Vlorës. Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, Bledar Selmanajn, i skeduar nga Policia si autori i një sërë vjedhjesh, si dhe është bërë sekuestrimi i armës me të cilën është qëlluar Xhuljan Bullari. Teksa ende nuk janë të qarta motivet e vrasjes, konfirmohet njohja mes autorit dhe viktimës. Policia i ka gjetur në oborrin e banesës së tij në Vlorë edhe armën e zjarrit tip pistoletë, veshjet që janë përdorur gjatë vrasjes dhe 1 aparat celular.
Menjëherë pas vrasjes së të riut, grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria zbuloi se në telefonin e viktimës rezultonte komunikim në orët e fundit me Bledar Selmanajn. Paralelisht nga sekuestrimi i kamerave të sigurisë, u pa se personi që shoqëronte Xhuljan Bullarin në hyrje të qytetit të Vlorës ishte 39-vjeçari i dënuar disa herë për vjedhje. Pas hetimeve është bërë i mundur lokalizimi i autorit, i cili fshihej në një apartament në zonën e ish-Bllokut, ku dhe është prangosur dje nga Policia. Ai u arrestua dhe në dëshminë e tij para policëve ka mohuar që të jetë ai autori i vrasjes, ndërsa ka pranuar shoqërinë dhe udhëtimin nga Tirana drejt Vlorës me viktimën.
Bledar Selmanaj ka pranuar para specialistëve të Policisë se ka qenë ai personi që është nisur nga Tirana me 25-vjeçarin Xhuljan Bullari drejt Vlorës dhe më pas kanë përfunduar në fshatin Babicë e Madhe, atje ku mbrëmjen e 20 gushtit, ora 21:00, i riu gjeti vdekjen pas një plumbi që mori në kokë. 39-vjeçari ka pranuar shoqërinë dhe njohjen e mëparshme me të riun por nuk ka pranuar që ë jetë ai autori i vrasjes. Por, provat e mbledhura deri më tani tregojnë të kundërtën. Nga hetimi i deritanishëm rezulton se ka prova dhe komunikime që provojnë se mes viktimës dhe autori ka patur një konflikt për një prishje pazari, që grupi hetimor dyshon se lidhet me një çështje droge. Të dy miqtë u nisën drejt Babicës për t’u sqaruar, por debati ka degraduar dhe Selmanaj akuzohet se ka qëlluar për vdekje të riun.
Prishja e pazareve të drogës është pista kryesore ku grupi hetimor i drejtuar nga Prokuroria e Vlorës po fokuson hetimet për vrasjen e të riut Xhuljan Bullari nga shoku i tij, Bledar Selmanaj me të cilin kishin njohje të mëparshme. Një pistë e dytë është një borxh i pashlyer që viktima i kishte autorit duke bërë që debati mes tyre të përfundonte në përdorimin e armës së zjarrit.