‘Përralla për arritje imagjinare’ i ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaratat që kryeministri Edi Rama bëri sot pas mbylljes së mandatit të dytë qeverisës. Në një postim në Twitter, Basha ka reaguar duke thënë se kreu i qeverisë thjesht përsëriti mashtrimet e vjetra.
Kryedemokrati ka akuzuar kryeministrin Rama duke thënë se krimi gëlon prej ortakërisë me pushtetin. Basha shkruan PS është një “e keqe e vjetër”, teksa rikujton se partia që ai drejton është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve.
REAGIMI I BASHËS:
Asgjë e re nga përsëritja e mashtrimeve të vjetra. Plehrat digjen në kriza mjedisore të stisura për të çuar taksat e qytetarëve te mafia e inceneratorëve, krimi gëlon prej ortakërisë me pushtetin, korrupsioni që ka kapur shtetin është i përhapur në cdo qelizë të qeverisë, varfëron dhe largon shqiptarët, të braktisur edhe në kohë pandemie me numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë dhe paketat më të vogla ekonomike në kontinent, integrimi në të cilin mbahet peng nga dështimet e njëpasnjëshme. Ky është bilanci real i një regjimi që masakron zgjedhjet vetëm për të vjedhur familjet shqiptare. Autorët e tij duhet të ishin përpara drejtësisë për atë që u kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 8 vite, jo duke përrallosur për arritje imagjinare. Partia Demokratike është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve, sepse asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët tanë.