AFGANISTAN- Teksa përpjekjet për evakuimin e afganëve dhe të huajve janë intensifikuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Australia i kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga aeroporti i Kabulit, pas alarmit të ngritur se një sulm terrorist do të “shpërthejë” në shtetin islamik.
Lajmi është bërë me dije gjatë natës së djeshme, ndërsa tre vendet nuk ndalin paralajmërimet.
“Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm dhe i lartë i një sulmit terrorist. Mos udhëtoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabul Hamid Karzai. Nëse jeni në zonën e aeroportit, largohuni në një vend të sigurt dhe prisni këshilla të mëtejshme”, lajmëroi qeveria britanike.
Australia gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të largohen nga ajo zonë, duke paralajmëruar për një “kërcënim shumë të lartë të një sulmi terrorist” në aeroport.
Trupat perëndimore punojnë nën ethe dhe presionin e kohës për të evakuuar me shpejtësi qytetarët nga aeroporti, ndërkohë që ai është i “pushtuar” dhe rrethuar nga talebanët.
Ahmedullah Rafiqzai, një zyrtar i aviacionit civil afgan që punonte në aeroport, tha se njerëzit pavarësisht paralajmërimeve të një sulmi të mundshëm vazhduan të grumbulloheshin rreth portave të aeroportit.
Ai shtoi se njerëzit nga dëshira e madhe për të lënë vendin e tyre nuk kanë frikë të përballen edhe me vdekjen.
“Është shumë e lehtë që një kamikaz të sulmojë korridoret e mbushura me njerëz dhe paralajmërimet janë dhënë në mënyrë të përsëritur. Por njerëzit nuk duan të lëvizin, është vendosmëria e tyre për të lënë këtë vend duke mos pasur as frikë të përballen edhe me vdekjen.”, tha ai për Reuters.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 70 mijë njerëz, përfshirë edhe qytetarët e tyre, personelin e NATO-s dhe afganët në rrezik.
Një ndër evakuimet më të mëdha në historinë njerëzore, ka nisur prej 14 gushtit, një ditë pasi Talebanët arritën të “thyenin” edhe Kabulin.