Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur se transporti ajror në Afganistan do të përfundojë “brenda pak ditësh”. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ish-punonjësit lokalë dhe njerëzit e tjerë në nevojë në Afganistan nuk do të mbrohen, tha Merkeli në deklaratën në emër të qeverisë para Bundestagut. Ajo tha se po punohet “në të gjitha nivelet”.
Në fjalën e saj, kancelarja foli për një vendim të vështirë në lidhje me tërheqjen e punonjësve lokalë. “Le të përfytyrojmë për një çast që Gjermania të mos kishte filluar vetëm tërheqjen e Bundeswehr-it në pranverë, por edhe tërheqjen e punonjësve lokalë e të organizatave ndihmëse gjermane. Disa do ta kishin vlerësuar këtë me siguri si kujdes parashikues”, tha ajo. Nga ana tjetër dikush do të ishte përballur me akuzën e braktisjes së njerëzve në Afganistan. “Të dyja perspektivat janë të justifikuara,” tha Merkeli.
Nuk shmanget përgjegjësia
“Në atë kohë, qeveria federale pa shkaqe shumë të forta për të vazhduar të ndihmonte njerëzit në Afganistan, pasi trupat të ishin tërhequr, të paktën në aspektin e bashkëpunimit të zhvillimit,” ndihmë bazë shumë specifike, që nga maternitetet në furnizimin me ujë dhe energji elektrike”, tha Merkeli. Për këtë ishim ende të varur nga ekipet vendase, shumë prej të cilëve ishin të gatshëm të vazhdonin punën në Afganistan.
“Unë definitivisht nuk dua të zhvendos përgjegjësinë për vendimet e marra mbi këta njerëz dhe qëndrimin e tyre ndaj ndihmës.” Në retrospektivë, është e lehtë të analizosh dhe vlerësosh situatën “Më pas, të dish gjithçka dhe ta parashikosh atë saktësisht është relativisht e lehtë”, tha Merkeli. Por vendimi duhej të merrej në situatën në atë kohë. Tani të gjitha përpjekjet janë përqendruar “në fluturimet e evakuimit.
Shpejtësia e zhvillimit u nënvleftësua
Merkeli i quajti zhvillimet e ditëve të fundit “të tmerrshme”. Për shumë njerëz në Afganistan ato janë “një tragjedi e madhe”. Talibanët “tani janë një realitet në Afganistan dhe shumë njerëz në Afganistan kanë shumë frikë,” tha kancelarja. “Ky realitet i ri është i hidhur”. Qeveria e saj nuk do të “frikësohet” as nga bisedimet me talebanët radikalë islamikë. “Qëllimi ynë duhet të jetë të ruajmë sa më shumë ndryshimet që kemi bërë në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit.” Zhvillimet janë gjithashtu të hidhura për aleatët që kanë luftuar atje për vite me radhë për struktura liberale dhe kundër terrorizmit. Kancelarja deklaroi se ka qenë gjithmonë e qartë “se i gjithë operacioni me plotëkuptimin e fjalës qëndron dhe bie me qëndrimin e ushtarakëve më të fortë në aleancë – SHBA”.
Komuniteti ndërkombëtar priste edhe se do të kishte luftime me talebanët e forcuar. Por befasi ishte shpejtësia me të cilën forcat afgane të sigurisë hoqën dorë nga rezistenca e tyre – përkatësisht që ata as do ta nisnin rezistencën. Kjo u përshpejtua edhe në momentin kur udhëheqja politike e Afganistanit u largua nga vendi.
“Ne të gjithë padyshim e nënvlerësuam shpejtësinë e zhvillimit. Kjo vlen edhe për Gjermaninë.” Merkeli tha se Bundeswehri kishte larguar me fluturime më shumë se 4.600 persona nga Afganistani deri tani. Kanë qenë njerëz nga gjithsej 45 kombe, pothuajse gjysma e tyre gra. Merkeli theksoi se nuk kishte pasur asnjë rrugë të veçantë për Gjermaninë në Afganistan. Gjithçka bëhet në koordinim të ngushtë me aleatët./ DW