ISLANDË– Shteti islandez është ndër të paktat vende që ka arritur të shmangë valën e katërt të pandemisë me anë të vaksinimit masiv dhe përsorimit të maskave në të gjitha ambjentet.
Prej tre muajsh ky shtet nuk ka raportuar asnjë jetë të humbur si pasojë e Covid-19. Shefi i epidemiologjisë në vend, Thorolfur Gudnason, konfirmon për CNN se vendi ka regjistruar zero viktima që nga muaji maji.
“Mendoj se vaksinimi në masë ka parandaluar rastet me pasoja serioze”, thotë ai.
Drejtori i spitalit më të madh të Islandës, doktor Pall Matthiasson tha se skenarët e tmerrshëm gjatë kësaj vale të katërt janë shmangur nga sjelljet e bashkëqytetarëve. “Po të mos kishim vaksinim në popullatën tonë, mendoj se do të ishte katastrofike”.
Në qendrën e përkujdesjes intensive në Islandë ka gjithmonë e më pak pacientë të shtruar, pavarësisht rritjes së rasteve të reja. Vitin e kaluar përpara mbërritjes së vaksinave antiCovid në Islandë, kishte mesatarisht nga 65 deri në 75 pacientë në këtë spital. Por tani ka vetëm 18.