Eksperti i shëndetit publik Ilir Alimehmeti, përsërit se dezinfektimi i plazheve nuk duhet neglizhuar, aq më tepër në kohë pandemie.
“Dezinfektimi i plazheve dhe i çdo ambjenti turistik duhet kryer normalisht, si çdo kohë, për të parandaluar sëmundjet infektive në përgjithësi”, shprehet doktor Alimehmeti për “SINJALIZO!”.
Por për të dytin vit radhazi, edhe pse ky sezon vere si në të gjithë botën u ndikua nga Covid-19, kushtet për të garantuar sigurinë e frekuentuesve të plazheve lanë për të dëshiruar. Sakaq shkresat tregojnë sesi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit aprovuan urdhërin e përbashkët për “protokollin e masave anticovid-19 përgjatë sezonit turistik”.
Mes shumë kritereve, një prej masave që është e përcaktuar në këtë protokoll është edhe ajo e dezinfektimit të ambienteve të tyre nga pronarët e subjekteve private. Por përpara këtij kriteri që ju ngarkohet subjekteve private, bashkitë që kanë nën zotërim plazhet duhet të kryenin dezinfektimin e tyre që në nisje të sezonit.
Në këtë pikë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përgjigjet “Dezinfektimi është një proces që kryhet nga pushteti vendor”, thuhet në reagimin për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.
Por disa nga bashkitë që kanë nën administrim plazhet përgjatë vijës bregdetare nuk parashikuan fonde për këtë proces.
“Bashkia Sarandë nuk ka zhvilluar tender për dezinfektimin dhe pastrimin e plazheve që ka në territorin e saj për vitin 2021 dhe për sezonin veror”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Sarandë për ACQJ.
Përveç Sarandës, njësoj vepruan edhe bashki të tjerë si Bashkia Himarës, e Vlorës dhe e Shkodrës.
“Në Bashkinë Himarë nuk është zhvilluar tender për pastrimin dhe dezinfektimin e plazheve për vitin 2021”, theksohet në përgjigjen e kësaj Bashkie.
“Bashkia Vlorë theksojmë se deri më sot nuk ka zhvilluar prokurim me objekt dezinfektimin dhe pastrimin e plazheve”, shprehet për ACQJ, Bashkia e Vlorës.
Edhe Bashkia e Shkodrës nuk ka kryer tender për dezinfektimin e plazheve.
Vetëm Durrësi u dezinfektua
E vetmja bashki që ka kryer një tender dhe që ka parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2021 për dezinfektimin e plazheve është Bashkia e Durrësit.
“Përsa i përket Tenderit për dezinfektim ju sqarojmë se:Nga Projekt-Buxheti i vitit 2021 i miratuar nga Bashkia Durrës në zërat e parashikuara, në llogarinë nr.602,(shpenzime operative & mirëmbajtje), Ndërmarrja Komunale Plazh ka planifikuar prokurimin me vlerë të vogël për dezinfektantë me vlerë 480 000 Lekë. Firma fituese është “Zeqiri Shpk”, për “blerje Helm Citroforte, dezinfektantë” me vlere 418.800 lekë me Urdhër Prokurimi ‘Nr. 8 dt. 11.05.2021”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Durrësit.
Por edhe pse ka parashikuar tendera për dezinfektantë por gjithashtu edhe për pastrimin e këtyre plazheve, plazhet në zonën e Durrësit janë më problematikët sa i përket pastrimit të mbetjeve. Koshat e tejmbushur të mbeturinave zaptuan jo vetëm akset kryesore por edhe bizneset përgjatë vijës bregdetare të këtij qyteti.
“Pastrimi i qytetit bëhet nga ndërrmarjet në varësi të Bashkisë përkatësisht Ndërrmarrje e Shërbimit Komunal Durrës dhe ajo Plazh e cila bën pastrimin e zonës (Plazh, Shkozet, Rrashbull)NK Plazh me mjetet e saj bën evadimin e mbetjeve urbane, përfshirë këtu dhe inerte, leshterike, lëndë drusore etj. Këto mjete bëjnë nga 1–2 rrugë çdo ditë. Në sezonin turistik që fillon në muajin Maj, sasia e rrugëve që kryejnë mund të shtohet në varësi të mbetjeve deri në mbylljen e sezonit në fund të Shtatorit”, thekson Bashkia e Durrësit. Por në fakt realiteti tregon ndryshe.
“Pastrohen, por mbetjet duhen pastruar 2 herë në ditë, këta i ndëhyjnë 1 herë dhe siç e shikon goxha ndotje duket”, shprehet një banor i Durrësit. Edhe pamjet në vendgrumbullimet e mbeturinave në plazhin e Golemit tregojnë qartë neglizhencë në pastrimin e rregullt nga Bashkia e Durrësit.
Edhe bizneset njësoj indiferente
Po përveç dezinfektimit nga ana e institucioneve vendore, subjektet kanë detyrim që të dezinfektojnë ambientet e tyre çdo ditë, por kjo gjë nuk bëhet pothuajse nga asnjë subjekt.
“Jam këtu që prej fillimit të sezonit, dhe nuk kam shikuar që të dezinfektohen ambientet e hotelit, as pjesa e plazhit apo pishinës”, sinjalizon në kushtet e anonimitetit një punonjës i një hoteli në zonën e Himarës. Ai nuk është i vetmi, të tjerë shkruajnë për “SINJALIZO!”.
“Plazhi në Durrës është plot me leshterikë” shkruan një qytetar, sipas të cilit edhe lajmërimi se ky plazh do të pastrohej ishte veçse një propogandë.
Kontrolle dhe inspektime
Për kontrollin e zbatimit të këtyre masave, u vendos që monitorimi të bëhej nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.
Sipas AKB-së nga fillimi i sezonit turistik dhe deri në mesin e muajit Gusht në 82 raste inspektorët kanë kryer verifikime në terren.
“Kemi kryer 50 kontrolle, 32 inspektime nga të cilat kemi vendosur 25 masa administrative, 8 gjoba për mungesë kontrate të stacionit të plazhit me vlerë 1.600.000 lekë dhe kemi dhënë 17 paralajmërime për mos përmbushje të kritereve sipas VKM 171/ 2019”, thuhet në përgjigjen e AKB-së.
Ndërsa për respektimin e protokolleve shëndetësore institucioni kompetent për të kryer inspektimi u caktua ISHSH-ja.
ACQJ kontaktoi me Kryeinspektoren e ISHSH-së, Vjollca Braho për të pyetur në lidhje me monitorimet që janë kryer gjatë këtyre kohëve në plazhe, por nuk mori asnjë përgjigje.
Nga një vëzhgim në websiten e këtij institucioni vërehet se janë publikuar raport monitorime ditore në terren, por mungojnë rezultatet dhe të dhënat se çfarë është konstatuar konkretisht.
Nga ana e tij, punonjësi i hotelit në zonën e Himarës tregon që nuk ka parë asnjë herë ndonjë grup inspektimi në ambientet e punës së tij, as për zbatimin e masave anti-covid edhe as për zbatimin e VKM-së 171/2019 mbi stacionet e plazhit.
Të gjithë thonë të njëjtët gjë: ka probleme me protokollin
Mos zbatimin e masave anticovid nga ana subjekteve e konfirmon edhe Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.
“Sigurisht ka patur subjekte që nuk kanë zbatuar masat dhe kanë qenë jashtë kontrollit por vetë klientët kanë qenë denoncuesit e tyre në polici apo rrjete sociale”, shprehet Topuzi për ACQJ.
Edhe pse është rregulluar me ligj dhe me një VKM të posaçme siç është VKM-ja 171/2019, një nga problemet që vijon të shfaqet në plazhet shqiptare është edhe hapësira që duhet të lihet nga personat që marrin me qira një stacion plazhi për përdorim publik.
Në shumë plazhe të vendit mungon hapësira që duhet ti lihet publikut të thjeshtë për përdorimin e plazhit.
Këtë problematikë e thekson edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e bërë dhe e cilëson si të pavërtetueshëm në terren raportin 80% privat dhe 20% publik.
“Raporti 80% privat dhe 20% publik është i pavërtetueshëm në terren, marrë parasysh se i referohet për aplikim një territori të përgjithshëm, dhe jo specifik për çdo zonë plazhi. Për rrjedhojë, hapësira prej 20% publik, nga një detyrimi objektiv ligjor, kthehet në një detyrim subjektiv, për shkak se në mungesë të një përcaktimi me planifikim nga VKM, lihet në diskrecionin e bashkive se ku do të aplikohet kjo fashë”, thuhet në auditimin e KLSH-së.
Po ashtu në këtë audit thuhet se 20% që i rezervohet publikut përbën një territor plazhi që nuk është i përshtatshëm dhe i aksesueshëm për qytetarët.
“Nga vëzhgimet në terren rezulton se 20% që i rezervohet publikut përbën një territor plazhi që për shkak të problemeve të higjienës apo distancës së largët, nuk është i përshtatshëm dhe i aksesueshëm për qytetarët. Kjo shkakton një përmbushje të detyrimit ligjor sa për efekt statistikor, dhe jo në funksion të garantimit të aksesit të publikut në plazh”, thekson auditi i KLSH-së.
Ndërsa ndryshe nga Shqipëria, vendi ynë fqinj, Mal i Zi i cili ka edhe një vijë bregdetare më të shkurtër se ne, ka përcaktuar me ligj që çdo subjekt që merr me qira një stacion plazhi është i detyruar të lërë për përdorim publik 50% të hapësirës që ka marrë me qira, pra ka një raport 50% privat dhe 50% publik.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al