Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Bashkim Muratajn, i arrestuar më 11 gusht të këtij viti nga policia si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Murataj kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë, dhe pavarësisht kërkesës së mbrojtes, Apeli e ka gjykuar të drejtë masën shtrënguese ndaj tij duke e lënë në burg. Murataj e justifikonte kërkesën e tij me argumentin se ka 3 fëmijë që do ti duhet të kujdesej për ta dhe se bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore. Ai gjithashtu ka mohuar të jetë i përfshirë në trafikimin e narkotikëve gjatë mbrojtjes që ka bërë në seancën e zhvilluar në apel.
57 vjeçari ishte i shpallur në kërkim prej 2 vitesh, pasi në dhjetor 2019, i ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg për trafik lëndësh narkotike. Murataj dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e datës 13.12.2019, në pikën kufitare Kapshticë, Korçë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis.