Evropa përjetoi verën më të nxehtë këtë vit dhe temperaturat në Mesdhe thyen rekordet me diferenca të mëdha. Ashtu si pjesa më e madhe e Hemisferës Veriore, Evropa u godit nga ngjarjet ekstreme të motit gjatë muajve të fundit, përfshirë nivelet rekord të shiut që shkaktuan përmbytje vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë, si dhe valët e nxehtësisë që kontribuan në zjarret në jug të rajonit.
Temperatura mesatare nga fillimi i qershorit deri në fund të gushtit ishte rreth 0.1 gradë Celsius më e lartë se verat e mëparshme më të nxehta, ajo e vitit 2010 dhe 2018, një rritje relativisht e vogël. Por ishte një tërësi 1 gradë mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke reflektuar trendin afatgjatë të ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzit.
Viti 2020 ishte gjithashtu më i nxehti i regjistruar për Evropën në përgjithësi.
Italia regjistroi një temperaturë prej 48.8 gradë C më 11 gusht në Sicili. Nëse verifikohet nga Organizata Botërore Meteorologjike, kjo do të ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Evropë. Temperatura më e nxehtë para kësaj ishte 48.0 C në Athinë të Greqisë, në vitin 1977.
Temperaturat në Grenlandë gjatë fundjavës së 14-15 gushtit u ngritën mbi nivelin e ngrirjes për herë të tretë në më pak se një dekadë, duke bërë që për tre ditë të binte 7 miliardë tonë shi në të gjithë Grenlandën – sasia më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1950.
Tani nuk ka më dyshime se ndryshimi i klimës i bërë nga njeriu po i bën ngjarjet ekstreme të motit më të shpeshta dhe më intensive.