Një subjekt është gjobitur në Himarë pasi kundërshtoi mbylljen e muzikës pas orarit të lejuar. 1 milion lekë gjobë dhe procedim penal për bashkëpronarët e subjektit të cilët nuk iu bindën urdhërit të Policisë.
Ata vijuan aktivitetin, por uniformat blu morën masa ndaj tyre.
Himarë/U konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të lejuar dhe kundërshtuan mbylljen e muzikës duke mos iu bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, ndëshkohen me masë administrative 1.000.000 lekë dhe procedohen penalisht 2 bashkëpronarët e subjektit.
Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në Himarë, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, shtetasit:
A. G, dhe M. G, bashkëpronar të subjektit, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;
Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.