Pas vendimit për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk kanë munguar reagimet! I pari ka qenë vetë lideri historik Berisha, i cili është shprehur se me këtë vendim Lulzim Basha e ktheu partinë në opozitë rreckë dhe satelit të Edi Ramës. Ndërkohë që premton “luftë”!
Ndërkohë që kanë ardhur edhe reagimet e para që shkojnë në bllok kundër Lulzim Bashës. E para që reagoi ishte Jozefina Topalli, e cila thotë se iu kujtua udhëheqja e diktatorit Enver Hoxha, ku vetja i dukej mbi ligjet.
Sipas saj, në mënyrë të njëjtë po vepron edhe Lulzim Basha, ku thekson se ai nuk ka asnjë të drejtë ligjore e statusore të largojë Berishën. Këtë deklaratë e kanë mbështetur edhe demokratë të tjerë, si anëtari i Kryesisë së PD-së, Gent Strazimiri apo dhe Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kryetar në PD.
Po çfarë ndodhi dje?
Kryedemokrati Lulzim Basha vendosi që derisa drejtësia të marrë një vendim për Sali Berishën, ai të mos jetë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Me tensione dhe kundërshtime është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku publikisht 5 deputetë kanë dalë kundër vendimit të Lulzim Bashës, megjithatë ka pasur edhe zëra pro kryetarit.