Dy raste të transportimit të refugjatëve nga Shqipëria drejt BE janë goditur në Pogradec.
Një 37-vjeçar u kap në Leshnicë të Pogradecit me 32 emigrantë të paligjshëm në furgonin e markës “Fiat Ducato”.
Po ashtu një tjetër 37-vjeçar nga Elbasani u pikas në lagjen nr.1 të Pogradecit teksa drejtonte një mjet “Volskëagen” me 12 emigrantë të paligjshëm. Ai braktisi automjetin dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Njoftimi:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U konstatuan duke transportuar 44 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë DVP Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 37 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi u kap në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Leshnicë, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip furgon të markës “Fiat Ducato”, 32 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi O. D., 37 vjeç, banues në Elbasan, i cili pasi ka konstatuar se shërbimet e policisë, konkretisht strukturat për Hetimin e Krimeve pranë DVP Korçë, ishin në ndjekje të tij, ka braktisur mjetin tip “Volksëagen” në lagjen nr. 1, Pogradec, brenda të cilit u gjetën 12 emigrantë të paligjshëm, duke u larguar me shpejtësi.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.