Disa këshilla të vlefshme ka dhënë në ekranin e Report Tv, sociologu Gëzim Tushi për të gjithë pacientët që kanë kaluar COVID-19. Një shëtitje në natyrë, shmangja e njerëzve pesimistë gjithashtu edhe shmangja e njerëzve që flasin gjatë gjithë kohës për pandemisë, janë disa nga mënyrat që mund ta ndihmojnë një pacient që ka kaluar COVID-in të marrë veten pak nga pak nga ana mendore. Në këtë drejtim, një rol thelbësor duhet të luajë familja.
I ftuar në hapësirën ‘live’ të pasdites në Report Tv, Tushi tha se infektimi nga COVID-i sjell trauma të mëdha në shëndetin e njerëzve, e për pasoja ai ka bërë thirrje që të tregohet një kujdes më i madh.
Infektimi nga COVID sjell trauma, kemi parë njerëz që e kanë kaluar sëmundjen dhe janë ende të pasigurt kur flasin. Gjurmët që lë COVID, trajtimi spitalor, ankthet dhe pasiguritë nuk është e thjeshtë, nuk bëhet menjëherë. Atje ku duhet të gjejnë ngrotësinë është familja, është një rimarrje e aktivitetit, një terapi nëpërmjet natyrës, shëtitje në natyrë, në parqe, një socialitet i kujdesshëm, se kemi kaluar nga një shoqëri sociale, të kalojmë drejt vetmisë. Kanë nevojë për një dozë optimist, të shmangin personat pesimistë deri sa të marrin xhirot e motorit të mendjes”, tha Tushi.
Duke marr shkak nga tentativa për vetëvrasje e 69-vjecarit sot në Tiranë, Tushi tha se është e vështirë për ta parandaluar, por jo e pamundur. Kjo sepse sipas Tushit, pacienti jep disa sinjale që nuk duhen neglizhuar nga mjekët.
“Vetëvrasja është një akt i fshehtë e vështirë ta zbulosh dhe një njeri që është në gjendje i destabilizuar është i predispozuar për të marrë “aventura të tillë”, me fund tragjik, por nuk do të thotë që është e pamundur, aq më tepër në spitale, ku janë mjekë që janë të zot jo vetëm të administrojnë trupin, por edhe mendjen e njeriut. Duhet një vigjilencë më e madhe, për të kuptuar ankthet, pasiguritë, ka sinjale që ky njeri mund të jetë i deprimuar, nëse ne kemi shtuar infermierë dhe mjekë, por kemi nevojë edhe për psikologë”, tha Tushi.
Në fund, Tushi zgjodhi që t’iu drejtohet qytetarëve me një mesazh.
“Kjo është një sëmundje që po vazhdon dhe ne nuk e kemi në dorë, megjithatë një gjë është e sigurt, aftësia e njeriut për të dominuar mendjen është një kërkesë e domosdoshme. Vetëvrasja është akti i fundit që njeriut duhet ‘i shkojë në mendje, duhet të përballet me dinjitet me jetën. Nuk ke të drejtë ta bësh këtë, e di që është është e hidhur të jetosh në këtë gjendje spitalore, me “alienë”, me mjek me skafandra që duhet si një komunikim jo real, është e vështirë, por njeriu duhet t’i japë kurajo vetes, t’i japë besimin që duhet të bëjë të gjitha përpjekjet, është e rrezikshme si virus, por jo i pashmangshëm”, përfundoi Tushi në Report Tv.