Shkalla e lartë e vaksinimit të Danimarkës ka mundësuar që të bëhet një nga vendet e para të BE-së që heq të gjitha kufizimet e brendshme, pas 548 ditësh me kufizime për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
Kthimi në normalitet ka qenë gradual, por që nga e premtja, kalimi dixhital, një dëshmi për vaksinimin – nuk kërkohet më kur njerëzit hyjnë në klube nate.
Më shumë se 80% e njerëzve mbi moshën 12 vjeç në vendin skandinav kanë bërë dy dozat e vaksinës, duke mundësuar që qeveria daneze të deklarojë që nuk e konsideron më Covid-19 një sëmundje “kritike shoqërore“.
“Ne e kemi hapur derën, por mund ta mbyllim sërish nëse është e nevojshme,” tha Søren Riis Paludan, një profesor i virologjisë në Universitetin Aarhus.
Pika e kthesës në Danimarkë për të filluar lehtësimin e kufizimeve erdhi kur shumica e njerëzve të grupmoshës 50+ vjeç i bënë të dyja dozat e vaksinës, tha Riis Paludan. Që nga 14 gushti, mbajtja e maskave në transportin publik nuk është më e detyrueshme. Më 1 shtator, klubet e natës u rihapën, kufizimet në tubimet publike u hoqën dhe nuk ishte më e detyrueshme të tregohej leja për t’u ulur brenda restoranteve, për të shkuar në ndeshje sportive, palestra ose parukeri.
Sidoqoftë, mbajtja e maskave të fytyrës është ende e detyrueshme në aeroporte, kur njerëzit shkojnë te mjeku, qendrat e testimit ose spitale. Distancimi social rekomandohet dhe kufizimet e rrepta të hyrjes zbatohen për jo-danezët në kufi. Ministri danez i shëndetësisë, Magnus Heunicke, tha në gusht se “epidemia është nën kontroll”, por paralajmëroi “ne nuk jemi jashtë epidemisë” dhe qeveria do të veprojë sipas nevojës.