Një ditë pas letrës së publikuar në media, ku Elton Metaj akuzonte babanë e ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj, për vrasjen e kësaj të fundit, reagon i revoltuar i ati i të ndjerës.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, Partizan Bengaj e quajti Elton Metajn dhe gjithë familjen e tij si mashtrues dhe plehra. Sipas tij, gjithçka që Metaj ka shkruar në letër është gënjeshtër, duke shtuar se as ai dhe as askush nuk mund ta njollosë vajzën e tij.
“Ka mundësi t’i thuash atij lloj fëlliqësire se nuk e njollos dot vajzën time. Këta lloj fëlliqësirash nuk mund ta njollosin vajzën time. Të gjitha që thonë, si ai, edhe prindërit e tij, janë gënjeshtra. Ai plehra e mbante mbiemrin tonë se iku në Greqi. Gjithçka që ka shkruar në letër është mashtrim. Absolutisht s’e kam kërcënuar kurrë atë. Por, më mashtrues se Eltoni, është avokati i tij. Do ta denoncojmë se shpalli një letër të tillë, avokat pa pikë dinjiteti. Sabrina nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale dhe shkoj unë në burg, po këta janë plehra. Këta lloj plehrash nuk e njollosin dot fëmijën tim”, tha babai i Sabrinës.
Ndërhyn gazetarja: Ai thotë se “Unë kam shkrepur armën, por Sabrinën e ka vrarë i ati”.
“Nuk e fëlliqin dot time bije këta lloj plehrash moj, le të flasin. Ata janë mashtrues si familje. Është turp që unë të flas, dihet publikisht që sa hyri në banesë, shkrepi armën direkt, teksa vajza ishte duke ngrënë bukë. Nuk mund të ma zërë goja atë lloj plehre,”– shprehet babai i 23-vjeçares.