Moti ka filluar të ndihet si një mot tipik i vjeshtës, me vranësira e reshje shiu të herëpashershme. Sipas meteorologes së Meteoalb, Lajda Porja, vlerat e larta janë ulur dhe freskun do ta ndiejmë nga mesdita e së dielës dhe javët në vijim. Mirëpo, kryeqyteti ka lagështi më shumë se 60% dhe bën që ne ta ndiejmë akoma vapën.
Por si do mbyllet muaji shtator?
“Duke filluar nga java tjetër, do kemi temperatura tipike të vjeshtës, rënia fillon nga e hëna. Deri në datat 25-26 shtator do kemi rënie të temperaturave, mëngjesi dhe nata do ndihen të freskëta. Netët do jenë të freskëta me temperatura nga 22 deri në 27 gradë. Do ngjasojë me vjeshtën vetëm nga temperaturat, nuk themi të njëjtën gjë për reshjet, të cilat do jenë pothuajse fare pak të pranishme. Edhe java që vjen do ketë reshje të pakta vetëm në disa zona të caktuara, të hënën dhe të martën. Një shtator i thatë, do thoja, nëse do e krahasonim me të tjerët të kaluar. Sonte dhe nesër i vetmi parametër që do na bëjë të ndjejmë të freskëtin do jetë era, por jo në nivele problematike”, -ka përfunduar meteorologia.