HOLANDË– Një djalë 12-vjeçar në qytetin holandez të Groningen ka fituar një betejë gjyqësore për t’u vaksinuar kundër Covid-19 në mënyrë që ai të vizitojë gjyshen e tij që po vdes, pavarësisht kundërshtimeve të babait të tij. Djali donte të kalonte sa më shumë kohë me gjyshen e tij, e cila ka kancer metastatik të mushkërive dhe është “në fazat e fundit të jetës së saj”.
Sipas BBC, një gjykatës vendosi se vaksina do të zvogëlonte shanset e tij për të infektuar gjyshen e tij, e cila ka kancer të avancuar. Gjykatësi Bart Tromp i Rrethit Groningen tha se djali duhet të vaksinohej menjëherë sepse interesat e tij ishin më të rëndësishme sesa shqetësimet e babait.
Gjykatësi Tromp hodhi poshtë argumentet e babait të djalit se vaksinat ishin “në një fazë testimi” dhe paraqesin rreziqe për organet riprodhuese, duke thënë se ato nuk kishin bazë shkencore. Ai gjithashtu përmendi rreziqet që ka infektimi te fëmijët.
Vakisnimi në vend është miratuar dhe për adoleshentët nga 12-17 vjeç por kërkohet miratimi i prindërve. Ligji holandez thotë se nëse prindërit nuk mund të bien dakord, një gjykatës duhet të vendosë në interesin më të mirë të fëmijës.