Merkatoja është mbyllur zyrtarisht, por askush nuk mund të ndalojë të diskutohet për të. Aq më shumë po të dëgjosh që bëhet fjalë për emra si Reali i Madridit apo Kilië Mbape. Sulmuesi kampion bote me Francën ka futur në luftë klubin e tij, PSG, dhe Realin e Madridit.
Të parët duan të rinovojnë kontratën me të, teksa ajo aktuale përfundon verën e vitit 2022. Spanjollët nga ana e tyre po tentojnë të bëjnë çdo manovër të mundshme për ta joshur francezin të lërë kryeqytetin e këtij vendi dhe të transferohet në kryeqytetin e Spanjës.
Te Reali e kanë shumë të qartë se deri më 1 janar kanë mbetur pak muaj, le të themi 100 ditë. Sepse, që nga kjo datë, Mbape do të jetë i lirë të firmosë me çdo klub. Sipas “ABC”, klubi spanjoll është gati të ngrejë një mur gjigant për Mbapenë, i cili pritet të ketë një klauzolë prej 1 miliard eurosh.
Por nuk mbaron me kaq. Po sipas së njëjtës media, Reali do t’i ofrojë një pagë neto prej 20 milionë eurosh në sezon, që në fakt është shumë larg 36 milionë eurove që është gati t’i ofrojë PSG-ja për rinovimin. Por madrilenët kanë disa avnatazhe, të paktën siç pretendojnë mediat iberike.
“Los blancos” duan të shfrytëzojnë faktin se Mbape ëndërron të luajë për klubin “mbretëror”. Dhe presidenti, Florentino Perez ka gati dhe një lëvizje surprizë për të joshur sulmuesin. Po sipas “ABC” nëse Mbape firmos për madrilenët ai do të marrë “cash” në dorë një shumë prej 30 milionë eurosh, teksa do të ketë dhe më shumë përqindje fitimi nga të drejtat e imazhit.