Bashkimi Evropian propozoi rregulla të reja të enjten që do t’i bëjnë portat USB-C standarde në smartfonë, tabletë, kamera, altoparlantët portativë dhe sistemet e lojërave të dorës. Me pak fjalë Evropa po kërkon karikues universal për të gjitha këto pajisje.
Ky veprim është një pengesë për Apple, që përdor portën e vet “Lightning” në iPhone. Ndërsa rregullat e reja mund të jenë ende larg hyrjes në fuqi, Apple mund të detyrohet të bëjë ndryshime në produktin e saj.
Llojet më të zakonshme të karikuesve
“Konsumatorët evropianë ishin shumë të frustruar për karikuesët e papërshtatshëm të grumbulluar në sirtarët e tyre. Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e tyre, tani ka ardhur koha për veprime legjislative për një karikues të zakonshëm,” tha shefja e teknologjisë e BE, Margrethe Vestager në një deklaratë. “Kjo është një fitore e rëndësishme për konsumatorët dhe mjedisin tonë dhe në përputhje me ambiciet tona jeshile dhe dixhitale.”
Qytetarët e BE-së posedojnë mesatarisht tre karikues të telefonave celularë, sipas Komisionit Evropian. Por 38% e konsumatorëve nuk kanë mundur ta karikojnë telefonin e tyre në të paktën një rast sepse nuk kishin karikuesin e duhur në dorë.
Afërsisht 2.4 miliardë euro shpenzohen çdo vit vetëm për karikues që nuk vijnë me pajisjet elektronike, sipas Komisionit Evropian.