Ditën e djeshme u vu re një rritje e ndjeshme e temperaturave, të cilat madje ishin të përshtatshme edhe për plazh. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe ditën e sotme, sipas meterologut Hakil Osmani.
Në një intervistë për Fax News, Osmani tha se me nisjen e javës së ardhshme vendi pritet që të jetë në mbizotërimin e vranësirave dhe shirave që pritet të përhapen në të gjithë territorin. E njëjta situatë do të jetë prezente pothuajse gjatë gjithë javës së fundit të shtatorit dhe muajit tetor.
“Kjo fundjavë do të sjellë një rritje të vlerave termike, që në bregdet do të shkojnë deri në 32 gradë celsius, ndërkohë që vlerat e ulëta do të jenë deri në 11 gradë. Zona e ulët dhe bregdetare do të kenë edhe vlerat më të larta gjatë kësaj fundjave, më freskët do të jenë në verilindje dhe juglindje. Java e fundit e shtatorit, do të sjellë prezencë të vranësirave dhe do të gjenerojnë reshje shiu pothuajse në të gjithë territorin. Prezenca e vranësirave do të sjellë dhe një ulje të temperaturave, duke filluar nga dita e martë. Fundi i shtatorit do të sjellë vjeshtën tipike për vendin tonë. Pjesa tjetër e stinës së vjeshtës do të sjellë prani më të madhe të reshjeve të shiut. Tetori do të plotësojë kuotat mujore me reshje shiu, mund të ketë edhe kapërcim të shifrave të reshjeve të shiut. Edhe temperaturat do të jenë tipike të stinës”, tha Osmani.