Asnjë familjar nuk ka shkuar që të tërheqë trupin e pajetë të Aldi Ramës, 21 vjeçarit i cili vrau nënkomisarin Samir Hoxha në Lezhë, e më pas qëlloi veten me plumb në qafë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se trupi i pajetë i të riut është transportuar nga morgu përmes agjencisë funerale natën vonë dhe i pashoqëruar me skedë vdekje, që është një procedurë që zbatohet gjithmonë.
Askush nuk ka bërë pagesat as në agjencinë funerale, por mësohet se kjo agjenci e ka çuar trupin e pajetë në lagjen nr.13 në Durrës, ku jeton nëna dhe vëllai i tij i madh. Ende nuk dihet se ku do të prehet trupi i të riut, por më shumë gjasë në Durrës, pasi trupi është çuar atje.
Aldi Rama ndërroi jetë një ditë më parë në spitalin e Tramues, pasi qëlloi veten me pistoletë në fyt në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së nënkimisarit. 21-vjeçari, jetonte në lagjen “Skenderbeg” të Lezhës, tek xhaxhai i tij pas divorcit të prindërve.
Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve.