Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së yllit për Saimir Hoxhën në memorialin e Ministrisë së Brendshme.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Edi Rama tha se kjo humbje është më përtej familjes, pasi ka prekur të gjithë Shqipërinë.
“Sot do të vendosim yllin e Saimirit në murin e kujtesës së policisë së shtetit, pranë yjeve të të gjithë trupave tona që kanë humbur jetën. Është një kohë e gjatë që kurse është vendosur ylli i mëparshëm, dhe në një kuptim është lehtësim që në këto vite numri i rasteve tragjike është më pak sesa gishtat e një dore. Statistika nuk ka rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa të gjithë jetët kur ajo humbet.Ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë sesa fjalët tona ndjenjat tona. Ndjej një lehtësim kur mendoj që fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të kujdesemi për ta deri kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë. 170% e pagës së babait për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjen, as ato 50 mln lekë që ne i akorduam familjes, por është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar për dore jo vetëm nga nëna, por edhe nga shteti. Nuk do të ti mungojë asgjë, përvec mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson. Nderime dhe lavdi dëshmorëve që sot i bashkohet edhe ylli i Saimirit”, tha Rama.