Ceremonia e varrimit e Aldi Ramës do të zhvillohet ditën e sotme në orën 14:00 në Durrës. Nëna e autorit të vrasjes së nënkomisarit të Lezhës, Saimir Hoxhës ka hapur dyert e morit në Durrës, qytetin ku ajo banon.
Babai i Aldi Ramës është kthyer nga Greqia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të djalit të tij. Ceremonia do të zhvillohet në orën 14:00 në qytetin e Durrësit, pasi aty banon dhe nëna e 21-vjeçarit. Babai i 21-vjeçarit ka deklaruar në një intervistë se djali i tij jetonte me pensionin e gjyshit në Lezhë ndërsa vetë ai në Greqi. Prej 10 ditësh ai nuk ka pasur komunikim me të birin, tha i ati gjatë intervistës.
Rama u rrit nga gjyshërit e tij në Lezhë pasi dy prindërit e tij i kishte të divorcuar dhe kishin nisur jetë në vende të ndryshme.
Për arsye sigurie, policia është vendosur pranë banesës së nënës së Aldi Ramës, për të shmangur çdo incident të mundshëm duke qënë se Rama i mori jetën nënkomisarit Saimir Hoxha.
Aldi Rama, autori 21-vjeçar i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm në spitalin e Traumës në Tiranë. I riu u soll me urgjencë nga spitali i Lezhës, por nuk mundi që t’i mbijetonte plagës me armë zjarri që kishte marrë në zonën e fytit. Ai ekzekutoi me armë zjarri nënkomisarin Saimir Hoxha. Rama ishte me precedent të mëparshëm penal, kishte përfunduar në burg që në moshën 18-vjeçare dhe ishte prangosur sërish pas 2 vitesh. Njëherë për vjedhje dhe dhunë ndaj të dashurësh, e njëherë tjetër për mbajtje pa leje e armëve të ftohta. I riu, i cili duhet të ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, do të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa nënkomisari Hoxha është shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’, duke iu shtuar listës së efektivëve të rënë në krye të detyrës.