Pas 18 muajsh bllokim, Australia do të rihapë kufirin e saj ndërkombëtar nga nëntori, për të gjithë të vaksinuarit në vend.
Në Australi aktualisht mund të lëvizin vetëm qytetarët dhe personat me përjashtime mund të hyjnë në vend. Mediat bëjnë me dije se kryeministri Scott Morrison është shprehur se shtetet me norma vaksinimi mbi 80% do të fitonin liritë e udhëtimit.
“Është koha për t’ua kthyer australianëve jetën e tyre,” ka thënë ai.
Karantina e detyrueshme 14 ditore e hoteleve në Australi, e cila i kushton secilit udhëtar 3,000 dollarë australianë, do të hiqet gradualisht. Kjo do të zëvendësohet me një karantinë shtatë ditore në shtëpi për udhëtarët e vaksinuar. Sidoqoftë, linjat ajrore kryesore kanë paralajmëruar tashmë se nuk janë të përgatitura për një ngritje të shpejtë të shërbimeve.
Sydney, Melbourne dhe Canberra aktualisht janë në bllokim për shkak të shpërthimeve të virusit. Por disa shtete, veçanërisht Queensland dhe Australia Perëndimore, kanë paralajmëruar se do t’i mbajnë kufijtë e tyre të mbyllur derisa normat e vaksinave të jenë edhe më të larta.