DIBËR– Gjykata e Dibrës ka lënë në burg dy personat e përfshirë në skemën e korrupsionit në Zyrën Arsimore Dibër, Halit Shehun dhe Fitim Farrukun. Trupa gjykuese ka vendosur që të lërë të dy në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas dosjes, në datën 27 shtator 2021, Halit Shehu ka biseduar në telefon me Fitim Farrukun, i cili ishte punonjës në Këshillin e qarkut të Dibrës. Në bisedën e përgjuar nga SPAK, Haliti bën përpjekje të punësohet si mësues, po ashtu komunikon edhe më bashkëshorten e tij, e ajo i kërkon që të takojë Fitimin.
Bashkëshortja e udhëzon Halitin që t’i japë lekët që ka me vete, për këtë ajo e pyet nëse i ka me vete dhe ai i thotë që ka 80.000 lekë. Më pas, Haliti bashkëbisedon sërish me bashkëshorten, e cila i thotë se ajo punë ka mbaruar dhe se do të punësohet pasi ai t’ia japë shumën e parave Fitimit, ndërkohë që takimi mes tyre është lënë paraditen e datës 28 shtator.