Ditët e fundit farmacitë po përballen me një kërkesë të shtuar për termometra me zhivë dhe aparate për matjen e oksigjenit në gjak. Kjo ka sjellë edhe rritje të çmimit të këtyre pajisjeve që po përdoren më së shumti gjatë pandemisë, ndërkohë që në internet qytetarë të ndryshëm i blejnë më një vlerë mjaft të ulët.
Prej shpërthimit të pandemisë në Shqipëri, farmacistët po përballen me mungesë medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, gjë që sjell rritje çmimesh për këto produkte.
Ndërsa dikur në farmaci ishte e vështirë të gjendej maskë kirurgjikale, sot është e vështirë të gjesh termometër me zhivë.
“Ka shumë kërkesa për termometra, për termometrin është një çikë situatë e vështirë sepse nuk ka dhe mezi e gjen. Duhet urgjentisht të mbushen depot me termometra sepse njerëzit kanë nje nevojë të paparë, qoftë për një matje temperature.”
Ditët e fundit po kërkohen gjithnjë e më shumë edhe pajisjet për matjet e oksigjenit në gjak, por edhe për këtë aparat ose ka mungesa, ose është me çmim të lartë.
“Vijnë pacientë dhe kanë shumë ankesë për çmimin e depove sepse thonë se i gjejnë në inernet 23 mijë lekë, 20 mijë lekë, shumë lirë. Oksimetra po shiten nga interneti, online po bëjnë namin duke shitur oskimetra. Ndërkohë që po të marrësh atë oksimetër nuk të nxjerr vlerat përkatëse të një personi që mund të ketë me të vërtetë patologji”.
Të vënë përballë frikës së virusit SARS-CoV-2, qytetarët në shumë raste drejtohen në farmaci pa recetën e mjekut dhe kërkojnë medikamentin që mund t’ua ketë sugjeruar dikush.
“Përderisa bëhen reklama në televizor për medikamente dhe të thuash ky lufton Covid-in, patjetër që njerëzit i drejtohen farmacisë”.
Ilaçet pa recetë që farmacistët japin, janë kryesisht vitaminat dhe takipirinat.
Por përtej këtij shqetësimi, farmacistët tregojnë se në mungesë të pajisjeve mjekësore si oksimetri, ka pasur raste që pacientët me Covid i drejtohen personalisht farmacive për të marrë këtë shërbim, duke rrezikuar përhapjen e infeksionit. /ora news