Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një vizitë zyrtare në Madrid të Spanjës, ku në fokus të takimeve do të jenë bisedimet për çështje ekonomike.
Një ditë pasi shpalli krizën e re energjetike, që siç tha kryeministri është globale dhe nuk do të mbetet pa u prekur edhe Shqipëria, Rama udhëton jashtë vendit për të takuar Sekretarët e Shtetit për Europën e për Tregtinë, Industrinë dhe Turizmin në Spanjë.
Takimet janë zhvilluar në presidencën e Dhomave të Tregtisë dhe Korporatës së Sipërmarrësve (CEOE).
Rama shihet se ne takimet e tij ne Spanje eshte i shoqeruar edhe nga Ministrja për Bujqësinë, Frida Krifca.
Vetëm pak ditë pas debatit publik për rritje të çmimeve të mallrave të shportës, bukës, qumështit, vajit, miellit, sheqerit me 15-20 për qind, rritje e cila është cilësuar nga eksponentë të qeverisë si e përballueshme, vjen paralajmërimi i Kryeministrit për një goditje të jashtëzakonshme të ekonomisë shqiptare nga rritja e çmimeve në rang botëror të burimeve energjetike, si energjia elektrike, nafta dhe gazi natyror, të cilat do të reflektojnë kosto shtesë për bizneset dhe prodhimin, e cila do të reflektohet në çmimet e ngritura të mallrave të konsumit.
Ai tha se shumë shpejt do të përballemi me çmime marramendëse. Duke sjellë në vëmendje pritshmëritë e çmimeve të energjisë elektrike në disa vende të Europës, si Britania, Italia apo dhe Bullgaria, kreu i qeverisë la të kuptohet se as Shqipëria nuk do t’i shpëtojë rritjes së çmimit të saj.
“Përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh. Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat se ne as nuk rrëzohemi, as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre”, tha Rama gjatë daljes së tij para qytetarëve.