Claudia Schiffer dhe Shakira janë ndër emrat e famshëm të lidhur me rrjedhjen e Pandora Papers – që zbuloi si super të pasurit përdorën kompani offshore për të grumbulluar pasuri dhe për të bërë transaksione.
Ato iu shtuan listës që përfshin legjendën indiane të kriketit Sachin Tendulkar – si dhe bashkëpunëtorët e Vladimir Putinit dhe 35 udhëheqësve botërorë – pasi të gjithë u zbuluan se kishin kompani të krijuara në parajsa tatimore.
Gazetat pretendojnë se ylli kolumbian i popit, Shakira, krijoi njësi në det të hapur (Offshore), në Ishujt e Virgjër Britanikë për të fshehur pasuritë. Por avokatët e saj thanë se këngëtarja i deklaroi kompanitë në det të hapur, duke shtuar se ato nuk siguronin avantazhe tatimore. Shakira është tani në një betejë ligjore me qeverinë spanjolle, e cila e ka akuzuar atë se nuk ka paguar taksa në Spanjë në vitet 2012, 2013 dhe 2014. Shakira ka thënë më parë se gjatë atyre viteve ajo jetonte në Bahamas dhe nuk ishte banore e Spanjës, por e vizitonte vendin ‘në mënyrë sporadike’. Një gjykatës spanjoll vendosi në korrik se kishte “prova të mjaftueshme” për ta gjykuar atë për shmangien e më shumë se 12 milionë £ në taksa.
Emri i supermodeles gjermane, Claudia Schiffer u përmend gjithashtu në raport, por përfaqësuesit e saj thanë se ajo i paguan rregullisht taksat në Mbretërinë e Bashkuar, ku jeton.
Ndërkohë avokatët e Sachin Tendulkar thanë se investimi i tij është legjitim dhe u është deklaruar autoriteteve tatimore. Ylli i kriketit gjithashtu raportohet se mbylli një kompani në det të hapur në Ishujt e Virgjër Britanikë tre muaj pas publikimit të Panama Papers në vitin 2016. Elton John dhe Julio Iglesias janë disa nga emrat e tjerë që thuhet të jenë të përfshirë në Pandora Papers. Dokumentet Pandora përfshijnë 12 milionë dokumente nga 14 kompani të shërbimeve financiare në vende si Ishujt e Virgjër Britanikë, Panama, Belize, Qipro, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapor dhe Zvicër.