Para nisjes së Samitit të Sllovenisë, eurokomisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të marrë përgjegjësi për veprimet e veta dhe të mbajë premtimet që ka bërë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Liderët tanë jo vetëm do të konfirmojnë, por do ta bëjnë edhe shumë të qartë, që jemi të përkushtuar për integrim të plotë dhe anëtarësim të Ballkanit Perëndimor brenda Bashkimit Europian”, tha Varhelyi.
“Prandaj do të duhet të marrim përgjegjësitë tona, dhe vendimet e duhura, që çojnë në këtë drejtim. Pra duhet të zhvillojmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të hapim kapitujt me Serbinë, të përshpejtojmë procesin e shpalljes së Bosnje-Hercegovinës vend kandidat, dhe të miratojmë liberalizimin e vizave për Kosovën”.- përfundoi ai.