Fill pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave që u organizua dhe drejtua nga zv.kryeministri Arben Ahmetaj, qeveria zotohet se do të mbrojë familjet dhe bizneset e vogla përballë krizës energjitike që po cënon sot globin. Ahmetaj deklaroi se situata cënohet nga vendet e tjera dhe tregu ndërkombëtar, por sipas tij, Rama ka ngritur një grup pune që do të marrë masat për të furnizuar të gjithë qytetarët me energji elektrike.
“Informacion për sa i përket situatën energjitike në vend. Bëra një informacion për kabinetin. Sigurisht që është konseguencë e krizës energjitike globale, kemi zgjedhur ekonomi tregu, ekonomi e hapur, e cila influencohet nga çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Sidomos për mallrat që janë të lidhura me prodhimin dhe nevojat për import, siç është energjia elektrike. Ju e keni dëgjuar se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar, një kombimin faktorësh që po ndodh në ekonomitë e mëdha, si Kina, për shkak të sjellës së Rusisë apo një faktor tjetër të centraleve të karbonit. çmimet lëvizin përditë, sot Spanja e ka çmimin 260 euro, Gjermania e njëjta gjë, një pjesë e mirë e vendeve e kanë transferuar koston te konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup për të menaxhuar situatën energjitike, i referohem asaj që ai ka thënë se vala e çmimeve prek dhe brigjet e Shqipërisë por ne jemi të gatshëm që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Kryeministri do të shpalosë vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesve, për qetësimin e konsumtorëve ne do ta mbrojmë konsumatorin. Do të garantojmë furnizim të energjisë për të gjithë”,-tha Ahmetaj.