Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë thotë se nuk ka asnjë nismë për të mbyllur zyrën ndërlidhëse të Europol, e inauguruar në korrik të vitit të shkuar.
Reagimi vjen pas publikimit të një artikulli në Gazetën “Panorama” të ekspertit dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë, Pëllumb Nako.
Zyra e BE-së thekson se kjo zyrë do të financohet edhe në vazhdim nga Komisioni Evropian dhe rezultatet e saj janë pasqyruar edhe në raportin e publikuar në tetor.
“Pas botimit në gazetën tuaj të informacionit në lidhje me praninë e Europolit në Shqipëri, Delegacioni i BE-së dëshiron të sqarojë se nuk ka asnjë qëllim për ta mbyllur Zyrën e tij Ndërlidhëse që u përurua zyrtarisht në Tiranë në korrik 2019. Kjo zyrë do të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen e afërt, me mbështetjen e fondeve të Komisionit Evropian. Roli i rëndësishëm i luajtur nga Europoli në Shqipëri u pasqyrua në Raportin Vjetor të këtij viti mbi Shqipërinë të Komisionit Evropian, botuar në tetor. Siç thekson raporti, bashkëpunimi i Policisë së Shtetit shqiptar me Europolin është intensifikuar më tej, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë dhe arrestimin e drejtuesve të grupeve të organizuara kriminale”- thuhet në deklaratë.