Banorët e një pallati dhjetë katësh pranë tregut industrial të qytetit të Durrësit, i cili u dëmtua nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019, protestuan këtë të mërkurë para bashkisë. Shkak është bërë ndërprerja e punimeve nga firma kontraktuese për riparimin e objektit, i cili sipas ekspertizës së thelluar të institutit të ndërtimit është shpallur me shkallë dëmtimi ds4. Edhe pse punimet për përforcimin e godinës nisën në qershor, ato u ndërprenë pas një muaji. Banorët u shprehen të zhgënjyer, ndërsa kërkuan shpjegim nga autoritetet. Ata thanë gjithashtu se prej dy muajsh nuk kanë marrë as bonusin e qerasë.
Punimet sipas projektit ishin parashikuar të mbylleshin brenda 168 ditëve. Në pallatin 10-katësh jetonin 102 njerëz, të cilat pas tërmetit tragjik u shpërngulën në banesa me qira.